Organizimi i Festivalit Folklorik përcolli pjesën më vitale të kësaj zone që lidhet me ruajtjen e traditës përmes etnografisë, konstumografisë, polifonisë, valles të cilat u shpalosen në ditën jubilare të 75 vjetorit të luftës Italo- Greke.
Grupi isopolifonik i Selosë, grupi i burrave të fshatit Dervician, të rinjtë dhe të rejat e shkollës së mesme bujqësore Dervician, studentët e departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në universitetin “Eqrem Cabej”, ishin protagonistët kryesorë të këtij aktiviteti të cilët performuan në skenën e qendrës kulturore në fshatin më të madh minoritar të Dervicianit.
Këngët e luftës, kurbetit, lirikat si dhe këngët isopolifonike herë të shoqëruara me valle e here jo, sollën një atmosferë drithëronjëse tek publiku që i ndoqi ato. I gjithë aktiviteti ishte reflektim i realitetit të minoritetit grek, përpjekjeve të tij për të ruajtur të pastër traditën dhe transmetuar atë edhe në brezat që vijnë.