Bashkia e Dropullit përbëhet nga pjesëtarë të pakicës etnike greke në Shqipëri. Derviciani njihen nga vendasit si kryeqendra e zonës, pasi në të zhvillohen pothuajse të gjitha aktivitetet e rëndësishme politike, kulturore dhe fetare të minoritetit. Megjithatë, qendra e komunës do të jetë në Jorgucati, një pikë e ndërmjetme mes dy komunave që ishin më parë.

Zonat e minoritetit kanë njohur viteve të fundit përmirësim të infrastrukturës rrugore në brendësi të fshatrave të vegjël që shtrihen mes kodrave, përgjatë rrugës që lidh Gjirokastrën me Kakavijën.

Falë granteve qeveritare, por edhe ndihmave financiare nga Greqia, shumë fshatra kanë zgjidhur edhe problemet e ujit të pijshëm. Por në këto 25 vite të tranzicionit, zonës së Dropullit i është rikthyer plaga e vjetër e emigracionit, vala e parë e së cilës nisi në vitit ’20-’30. Në fshatrat e Dropullit mungojnë moshat e reja, shumë shtëpi janë mbyllur me vite dhe shumë toka kanë mbetur djerrë. Krahina e Dropullit ruan një pasuri të rrallë etno-kulturore. Zona ka ruajtur dhe transmetuar vallen e bukur të krahinës, kostumet e pasura dhe motivet epirote të klarinetës.

GreekAlbaniaUSA